Mbrëmë përfundoi Edicioni i gjashtë i Festivalit Ballkanik të Folklorit të Valleve “Opoja Vallëzon”, i cili zgjati tri netë radhazi, ku shoqëri kulturore-artistike nga vende të ndryshme të Ballkanit (Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Turqia, Qiproja, Bullgaria dhe Polonia) performuan me pikat e tyre artistike.
Në natën e fundit të Festivalit u dhanë çmime për valltarin më të mirë, valltaren më të mirë, valltarët më të mirë, koreografinë më të mirë, instrumentistin dhe orkestrën më të mirë, kostumin më të mirë, paraqitjen artistike më të mirë dhe Çmimi kryesor i Festivalit, Çmimi i Kabinetit të Kryetarit të Komunës.
Çmimin kryesor të Festivalit, Çmimin e Kabinetit të Kryetarit të Komunës e mori GSK “Dernegi” (NAKEM) nga Bursa e Turqisë.
Kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, i ka falënderuar të gjithë organizatorët dhe pjesëmarrësit e këtij Festivali, e në veçanti Mërgatën, e cila është arsyeja kryesore që ky Festival organizohet në këtë kohë të qëndrimit të tyre në vendlindje. Një falënderim të veçantë Kryetari Xheladini shprehu edhe për drejtorin artistik të Festivalit, z.Dilaver Kryeziu, të cilin e cilësoi si Lokomotiva e Festivalit, si dhe ShKA “Bresana” e cila ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore. Gjithashtu, ai falënderoi edhe KFOR-in Turk dhe Policinë e Kosovës për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e tyre, si dhe moderatoren e Festivalit, znj.Valbona Musliu, për moderimin e jashtëzakonshëm gjatë tri netëve të Festivalit.
Kryetari Xheladini, para se ta shpallë të mbyllur Festivalin, falënderoi publikun për vëmendjen dhe sjelljen shembullore gjatë këtyre tri netëve.
Ky është Edicioni i dytë i Festivalit “Opoja Vallëzon” me karakter ballkanik, i cili e mori këtë karakter nga viti i kaluar, me iniciativën e kryetarit të Komunës, z.Bexhet Xheladini. Kryetari Xheladini premtoi para të pranishmëve se edhe Edicioni që do të mbahet vitin e ardhshëm do të jetë me karakter ballkanik, ku do të marrin pjesë numër i madh i grupeve artistike nga vendet e Ballkanit, por edhe më gjerë.