Nën kryesimin e kryetarit të Komunës, z.Bexhet Xheladini, Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi mbajti sot Mbledhjen II (e dytë) të rregullt për vitin 2024. Përveç pesë pikave të propozuara, në mbledhjen e sotme Këshilli votoi edhe për dy pika shtesë dhe u diskutua për gjithsej shtatë pika të rendit të ditës:
1. Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit nga takimi i parë;
2. Vlerësimi i përgjithshëm i gjendjes së sigurisë, çështjet politike dhe të sigurisë gjatë tremujorit të parë, veprimet dhe masat për luftimin e shkelësve të ligjit, si dhe masat pêr shkelësit e ligjit në komunikacion në Komunën e Dragashit;
3. Trotuaret, lirimi i tyre dhe shenjat sinjalizuese;
4. Monitorimi dhe raportimi mbi nivelin e sigurisë në shkolla dhe zbatimin e Planit për Siguri në Shkolla;
5. Dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore;
6. Procesi i regjistrimit të popullsisë; dhe
7. Pika eventuale, ku u debatua për furnizimin me rrymë elektrike të disa fshatrave të Opojës.
Për pikat e rendit të ditës raportuan anëtarët e KKSB-së të cilët janë përgjegjës për mbulimin e fushave përkatëse.
Në këtë takim të KKSB-së, Kryetari Xheladini i kushtoi rëndësi të veçantë procesit të Regjistrimit të Popullsisë. Ai tha se ky është një ndër proceset shoqërore më të rëndësishme për vendin dhe Komunën tonë.
Regjistrimi i popullsisë përveç që sjell përfitime personale, nga numri i banorëve të regjistruar do të varet edhe lartësia e buxhetit të Komunës, që do të thotë se më pak banorë të regjistruar do të ketë edhe më pak buxhet. Nese ka buxhet më pak, ka më pak mjete për shkolla, ambulanca, rrugë, ujësjellës dhe kanalizime; më pak punëtorë në administratë, shëndetësi dhe arsim; më pak asamblistë etj.
Në bazë të Ligjit të ri të Pagave, edhe shuma e pagës do të varet prej numrit të banorëve. Nëse bie numri i banorëve do të zvogëlohen dhe pagat e punonjësve në sektorin publik.
Në fund të takimit, Kryetari Xheladini kërkoi angazhimin e të gjithëve për t’i ndihmuar këtij procesi dhe apeloi te qytetarët e Komunës që t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes për regjistrim. Gjithashtu, ai kërkoi që Këshillat e Bashkësisë Islame një pjesë të hytbes t’ia kushtojnë këtij procesi.