RESUL FETAHU ZGJIDHET KRYESUES I KUVENDIT
Kuvendi i Komunës së Dragashit mbajti sot Mbledhjen I (e parë) të rregullt, me këto pika të rendit të ditës:
1. Zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit të Komunës;
2. Themelimi i Komitetit për Politikë dhe Financa;
3. Themelimi i Komitetit për Komunitete;
4. Zgjedhja e nënkryetarit për Komunitete të Komunës së Dragashit;
5. Propozimvendim për shpalljen e listës së përgjithshme dhe të veçantë të pronës së paluajtshme të Komunës; dhe
6. Eventuale.
Në pikën e parë të rendit të ditës, Kuvendi me shumicë votash zgjodhi Resul Fetahun kryesues të Kuvendit, kandidatin e propozuar nga Grupi Parlamentar i LDK-së.
Në pikën e dytë dhe të tretë të rendit të ditës, Kuvendit themeloi komitetet obligative: Komitetin për Politikë dhe Financa të përbërë nga shtatë anëtarë, dhe Komitetin për Komunitete të përbërë nga pesë anëtarë.
Në pikën e katërt të rendit të ditës, Fejsal Halilović u zgjodh nënkryetar i Komunës nga radhët e komuniteteve, duke marrë shumicën e votave nga asambleistët e komunitetit joshumicë, po ashtu edhe nga asambleistët e komunitetit shumicë.
Në pikën e pestë të rendit të ditës u miratuan lista e përgjithshme dhe lista e veçantë e pronave të paluajtshme të Komunës, të planifikuara për dhënie në shfrytëzim gjatë vitit 2026.
Ndërkaq, në pikën eventuale anëtarët e Kuvendit diskutuan për çështje të ndryshme që lidhen me funksionimin dhe punën e legjislativit dhe ekzekutivit lokal.