Në kuadër të Agjendës së aktiviteteve për Ditën e Çlirimit të Dragashit, sot u mbajt Seancë solemne e Kuvendit të Komunës, ku morën pjesë krerët e qeverisjes lokale, përfaqësues të familjeve të dëshmorëve dhe OVL të UÇK-së, përfaqësues të institiucioneve fetare, atyre të sigurisë, institucioneve arsimore, media dhe qytetarë të shumtë. Mysafirë të veçantë të kësaj seance ishin kryetari i Komunës së Mavrovës dhe Rostushës nga Maqedonia e Veriut, z.Medat Kurtovski, kryesuesja e Kuvendit të kësaj komune, znj.Teuta Mirto, dhe nënkryetari, z.Kenan Elezi. Gjithashtu, e pranishme ishte edhe Qytetarja e Nderit e Komunës së Dragashit, znj.Janet Reineck.
Në fjalën e saj, kryesuesja e Kuvendit, znj.Arijeta Skeraj, i ka uruar të gjithë qytetarët me rastin e Ditës së Çlirimit të Dragashit. Kryesuesja Skeraj tha se liria që fituam 26 vjet më parë u pagua me gjakun e bijve dhe bijave më të mirë të këtij vendi. Ajo u arrit falë përkushtimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbështetjes së bashkësisë ndërkombëtare dhe unitetit të popullit tonë të shumëvuajtur.
Ndërkaq, Kryetari Xheladini falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen në këtë Seancë solemne dhe shprehu urimet e tij për të gjithë qytetarët. Ai tha se sot nderojmë njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë tonë më të re – Ditën e Çlirimit të Dragashit – si simbol të sakrificës dhe fitores mbi padrejtësinë, mbi shtypjen dhe dhunën sistematike të regjimit serb ndaj popullit tonë.
Të pranishmeve me nga një fjalë përshëndetëse iu drejtuan edhe përfaqësuesi nga OVL e UÇK-së, z.Salih Shala, përfaqësuesi nga familjet e dëshmorëve, z.Sherif Sylejmani, dhe nënkryetari nga radhët e komuniteteve, z.Fejsal Halilović.
Pas përfundimit të Seancës solemne, në mënyrë të organizuar u bënë homazhe te shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari, Varrezat e Dëshmorëve në Dragash dhe Buqe, dhe te Pllaka përkujtimore e dëshmorit turk, Husein Kutlu.
Pas homazheve, aktivitetet vazhduan me koncertin festiv në Sheshin e qytetit dhe pastaj me garën e vrapimit të kuajve në Mejdan të Opojës, aktivitete këto të organizuara nga DKRS, në bashkëpunim me ShKA “Bresana” dhe Klubin e Kuajve “Opoja”.