Sot patëm nderin që, bashkë me nënkryetarin Resul Fetahu dhe një pjesë të drejtorëve komunalë, ta presim për vizitë të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Japonisë në Prishtinë, z.Hiroyasu Tanigaki, të shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij dhe përfaqësuesi i organizatës japoneze JICA, z.Xhelal Gashi.
Në takimin që zhvilluam në zyrën time, shfrytëzova rastin që z.Tanigaki t’i shpreh mirënjohje të thellë për mbështetjen e pakursyer që populli japonez po ofron për Komunën e Dragashit dhe qytetarët e saj.
Më pas vazhduam për në fshatin Restelicë, ku në hyrje të fshatit, përmes një ceremonie simbolike bëmë edhe pranimin-dorëzimin e objektit për depozitimin e mbeturinave, i cili është financuar nga Qeveria Japoneze përmes Programit GGP (Grante për Projekte për Sigurinë Bazike Njerëzore).
Ky projekt përbën më shumë sesa një investim. Ai është një dëshmi konkrete e solidaritetit ndërkombëtar, një shenjë e miqësisë mes popullit japonez dhe qytetarëve tanë, si dhe një hap domethënës drejt përmirësimit të kushteve të jetesës dhe mjedisit në këtë pjesë të Komunës sonë.
Falënderoj Ambasadën e Japonisë, partnerët tanë nga JICA, si dhe OJQ-në “Eco Restelica”, e cila ka qenë një bashkëpunëtore e pazëvendësueshme në menaxhimin e mbeturinave në fshatin Restelicë. Puna e tyre e palodhshme dhe vullnetare është një shembull frymëzues për të gjithë.
Pas ceremonisë, së bashku vizituam edhe bjeshkën e bukur të Restelicës, dhe më pas edhe fushën e re dhe të bukur të Stadiumit të Qytetit në Dragash.