Me rastin e festës së Fitër Bajramit, kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, i shoqëruar nga kryesuesja e Kuvendit, znj.Arijeta Skeraj, dhe pjesëtarë të tjerë të Kabinetit, vizituan dje këshillat e Bashkësisë Islame të regjionit të Dragashit dhe Gorës, si dhe LMT-në e KFOR-it Turk, Njësia në Dragash.
Me këtë rast, Kryetari Xheladini i ka uruar përfaqësuesit e këtyre institucioneve në emrin e tij dhe të të gjithë qytetarëve të Komunës së Dragashit, duke shpresuar që Zoti t’i ketë pranuar agjërimin dhe lutjet tona gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit dhe festa e Bajramit të sjellë çaste gëzimi dhe harmonie ndërmjet njerëzve.
Kryetari Xheladini ka thënë se Komuna e Dragashit i ka gjithmonë dyert e hapura dhe mirëpret çdo bashkëpunim me institucionet fetare dhe ato të LMT-së, që ka për qëllim interesat e qytetarëve.
Urimet e tyre me rastin e Fitër Bajramit i shprehën edhe kryesuesja e Kuvendit, znj.Arijeta Skeraj, nënkryetari nga radhët e komuniteteve, z.Fejsal Halilović, dhe shefi i Zyrës për Komunitete dhe Kthim, z.Uzair Hamza.