Kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, priti sot në takim përfaqësuesit e organizatave të dalura nga lufta, z.Hysni Gucati – kryetar i OVL të UÇK-së, z.Xhavit Jashari – kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, dhe z.Fadil Shurdhaj – kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës, të shoqëruar nga kryetari i OVL e UÇK-së në Dragash, z.Emri Neshati, dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Fillimisht, Kryetari Xheladini i falënderoi për vizitën, duke theksuar se Komuna e Dragashit kanë qenë çdo herë në përkrahje të organizatave dhe kategorive të dalura nga lufta, si dhe ka një bashkëpunim të shkëlqyer me OVL të UÇK-së, Dega në Sharr.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e organizatave të dalura nga lufta shprehën mirënjohjen e tyre për bashkëpunimin, me theks të veçantë në gatishmërinë e Komunës së Dragashit për të ndëmarrë hapa konkretë në ndalimin e koncertit AROG FEST, të paralajmëruar të mbahet në të njëjtën ditë me Ditën e Dëshmorëve, duke respektuar ndjeshmërinë kombëtare, sakrificën e popullit të Kosovës dhe vlerat e lirisë.
Në takim u diskutua edhe për vendimin e Kuvendit të Komunës së Dragashit për miratimin e Kërkesës së OVL të UÇK-së për ndërrimin e datës së çlirimit të Komunës sonë, nga data 15 në 12 qershor.
Gjithashtu, u mor qëndrim për bashkërendimin e veprimeve për ofrimin e ndihmës së përbashkët për ndërtimin e shtëpisë së një veterani të luftës së UÇK-së nga Komuna e Dragashit, me një gjendje të vështirë ekonomike.