Kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini, së bashku me Kryesuesen Arijeta Skeraj, dy nënkryetarët, shefin e Zyrës për Komunitete dhe drejtorin e Urbanizmit, pritën dje në një takim mirëseardhjeje komandantin e KFOR-it nga Komanda Rajonale Perëndim, Kolonel Francesco Errico.
Kryetari Xheladini e uroi Kolonelin Errico për marrjen e detyrës së re, duke theksuar se Komuna e Dragashit është e interesuar që të vazhdojë edhe më tutje bashkëpunimin e mirë me KFOR-in. Ai shprehu falënderimin e tij për ndihmën e deritashme që KFOR-i, e veçanërisht CIMIC-u italian, ka ofruar për Komunën tonë.
Në anën tjetër, Koloneli Francesco Errico i falënderoi përfaqësuesit e Komunës së Dragashit për mikpritjen e ngrohtë. Komandanti i ri i KFOR-it e siguroi Kryetarin Xheladini se do të jetë i gatshëm që të ofrojë përkrahjen e tij, duke thelluar bashkëpunimin me Komunën e Dragashit, përmes ofrimit të mbështetjes në fusha të ndryshme, siç janë arsimi, shëndetësia dhe siguria.