Komunën e Dragashit gjatë ditës së sotme e vizituan kryetari i Komunës së Mavrovës dhe Rostushës, z.Medat Kurtovski, i shoqëruar nga kryesuesja e Kuvendit të kësaj Komune, znj.Teuta Mirto, dhe nënkryetari, z.Kenan Elezi. Ata fillimisht i priti në zyrën e tij Kryetari Bexhet Xheladini, së bashku me kryesuesen e Kuvendit, znj.Arijeta Skeraj, nënkryetarët Resul Fetahu dhe Fejsal Halilović, shefin e Zyrës për Komunitete, z.Uzair Hamza, dhe drejtorin e Financave, z.Qamil Kolloni.
Pas Seancës solemne për nder të Ditës së Çlirimit të Dragashit, në sallën e Kuvendit u zhvillua edhe ceremonia simbolike e nënshkrimit të Marrëveshjes së Binjakëzimit në mes të Komunës së Dragashit dhe Komunës së Mavrovës dhe Rostushës. Kjo marrëveshje erdhi pasi të dy kuvendet e komunave përkatëse kanë miratuar paraprakisht vendimet për fillimin e procedurave të binjakëzimit.
Kryetari Xheladini falënderoi për vullnetin e tyre për bashkëpunim përfaqësuesit e Komunës së Mavrovës dhe Rostushës, duke e konsideruar këtë marrëveshje të binjakëzimit si një hap të rëndësishëm drejt bashkërendimit të politikave ndërmjet dy komunave, me qëllim të krijimit të kushteve për zhvillim të përbashkët në fusha e ndryshme.
Në anë tjetër, edhe përfaqësuesit nga Komuna e Mavrovës dhe Rostushës e përshëndetën këtë iniciativë pozitive, e cila do të krijojë mundësi të shumta për bashkëpunim në nivelin institucional dhe do të jetë në interes të qytetarëve nga të dyja vendet.