Bazuar në Kalendarin e dëgjimeve buxhetore, Komuna e Dragashit gjatë këtyre dy ditëve mbajti dy dëgjime buxhetore për Buxhetin e vitit 2026, të organizuara nga ekzekutivi. Të ftuar në këto dëgjime ishin grupet e nënpërfaqësuara (gratë dhe vajzat, personat me nevoja të veçanta, përfaqësues nga komuniteti joshumicë etj.), si dhe përfaqësues nga grupet e ndryshme të interesit, OJQ-të, bizneset, klubet kulturore dhe sportive etj.
Prezantimin e dokumenteve buxhetore dhe planifikimet për vitin e ardhshëm 2026 e bënë kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, dhe drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim Ekonomik, z.Qamil Kolloni. Kryetari Xheladini i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për interesimin e tyre që të bëhen pjesë e planifikimit të përbashkët buxhetor për vitin 2026.
Pjesëmarrësit patën mundësinë që të parashtrojnë kërkesat dhe propozimet e tyre, për të cilat do të hartohet raport i detajuar nga Grupi Punues për Organizimin e Dëgjimeve Buxhetore.
Deri në fund të këtij muaji Projektbuxheti i hartuar nga ekzekutivi do t’i dorëzohet kryesueses së Kuvendit dhe për të njëjtin do të organizohet edhe një dëgjim buxhetor nga Komiteti për Politikë dhe Financa, sipas Kalendarit për organizimin e këtyre dëgjimeve, më datën 4 shtator 2025, e enjte, duke filluar nga ora 11:00.