Komuna e Dragashit sot filloi kalendarin e dëgjimeve buxhetore me qytetarë për draftin e Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) 2026-2028. Dëgjimi i parë u mbajt me kryetarë të këshillave të fshatrave, OJQ, biznese dhe fermerë.
Në hapje të takimit, kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë dëgjim buxhetor, të cilët kanë shprehur interesimin e tyre që të përfshihen në planifikimin e përbashkët buxhetor për vitin e ardhshëm 2026 dhe projeksionet për vitet 2027 dhe 2028.
Kryetari Xheladini sqaroi për të pranishmit në pika të përgjithshme përmbajtjen e draftit të KAB-it 2026-2028, duke vënë theksin edhe te problemet dhe sfidat e ndryshme buxhetore me të cilat po përballet Komuna jonë, si pasojë e rënies së numrit të popullsisë, pagesës së shpenzimeve të Kontratës Kolektive në arsim etj. Kryetari Xheladini shtoi se qeverisja lokale është e gatshme që, mjetet e lira të cilat janë në dispozcion, t’i diskutojë me qytetarët dhe grupet e ndryshme të interesit, duke marrë parasysh nevojat dhe kërkesat e tyre, në mënyrë që së bashku të planifikohet një buxhet i cili do të ndikojë në zhvillim të përgjithshëm infrastrukturor, rritje të cilësisë së shërbimeve të ndryshme për qytetarët, zhvillim të bujqësisë, turizmit etj.
Ndërkaq, drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, z.Qamil Kolloni, dha disa detaje shtesë lidhur me Kornizën Afatmesme Buxhetore 2026-2028, procedurat e lëshimit të qarkoreve buxhetore nga ministria përkatëse dhe bashkëpunimin me nivelin qendror për hartimin e dokumenteve buxhetore.
Të gjithë të pranishmit patën rastin që t’i paraqesin kërkesat, vërejtjet dhe propozimet e tyre, të cilat më pas morën përgjigje nga kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini.