Nën kryesimin e Kryetarit Xheladini, Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi mbajti Mbledhjen III (e tretë) të rregullt për vitin 2025, ku u diskutuan këto pika të rendit të ditës:
1. Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit nga takimi i dytë;
2. Vlerësimi i përgjithshëm i gjendjes së sigurisë, përfshirë çështjet politike dhe të sigurisë gjatë tremujorit të dytë, veprimet dhe masat e ndërmarra për luftimin e shkelësve të ligjit, si dhe masat e ndërmarra ndaj shkelësve të rregullave të komunikacionit në Komunën e Dragashit;
3. Parapërgatitja dhe vetëdijesimi i qytetarëve për parandalimin e zjarreve gjatë sezonit veror dhe shtimi i masave të sigurisë;
4. Diskutim lidhur me funksionimin e rrugës njëkahore (Unaza e Qytetit) gjatë periudhës së fluksit të mërgimtarëve;
5. Monitorimi dhe raportimi mbi nivelin e sigurisë në shkolla dhe zbatimi i Planit për Siguri në Shkolla; dhe
6. Të ndryshme.
Pas miratimit të procesverbalit, në pikën e parë të rendit të ditës raportuan komandanti i Stacionit Policor në Dragash, z.Shaqir Uka, dhe komandanti i Vijës Kufitare, z.Jeton Hulaj. Gjendja e përgjjthshme e sigurisë në Komunën e Dragashit u vlerësua përgjithësisht e qetë dhe stabile. Pas raportimit, komandanti i Vijës Kufitare propozoi që t’u adresohet një kërkesë zyrtare organeve kompetente për hapjen për qarkullim të rrugës Restelicë – Strazimir gjatë sezonit të verës. Gjithashtu, ai propozoi që, përmes informimit publik, të bëhet sensibilizimi i banorëve të zonës kufitare me Shqipërinë lidhur me përhapjen e sëmundjeve ngjitëse të kafshëve në Shqipëri.
Në pikën e tretë raportoi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike, z.Redzep Ibraimi. Pas raportimit, u mor vendim që të dilet me një apel publik për qytetarët e Komunës së Dragashit për kujdes të shtuar në trajtimin e zjarreve gjatë sezonit të verës.
Në pikën e katërt të rendit të ditës, KKSB-ja unanimisht vendosi që edhe këtë vit të funksionalizohet rruga njëkahore (Unaza e Qytetit) gjatë periudhës së fluksit të mërgimtarëve, pasi që vitet e kaluara kjo praktikë ka rezultuar me sukses në lehtësimin e qarkullimit të veturave. Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe do të merret edhe vendimi për shfrytëzimin e oborreve të shkollave si parkingje pa pagesë.
Në pikën e pestë raportoi drejtori i DKA-së, z.Zeni Krasniqi, i cili prezantoi një pasqyrë të aktviteteve të DKA-së dhe mbarëvajtjen e sigurisë nëpër institucionet arsimore të Komunës së Dragashit.
Në pikën eventuale, anëtari i KKSB-së, z.Uzair Hamza, kërkoi nga institucionet e rendit që t’u bëhet thirrje qytetarëve për lirimin e hapësirave publike, zhbllokimin e trotuarëve, parkingjeve, dhe moshedhjen e mbeturinave nëpër vende publike. Ai gjithashtu kërkoi që të shqyrtohen mundësitë që në mbledhjet e KKSB-së të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Drejtoria e Parkut Kombëtar Sharri, për të informuar lidhur me aktivitetet e tyre në zonën tonë, duke qenë se mbi gjysma e territorit të Komunës së Dragashit është e shpallur park nacional.
Ndërkaq, anëtari tjetër i KKSB-së, z.Miralem Rahte, në emër të qytetarëve të fshatit Brod kërkoi që, gjatë rritjes së fluksit të mërgimtarëve, në fshatin Brod të funksionalizohet rruga unazore njëkahëshe, e ngjashme sikur në Dragash, në mënyrë që të lehtësohet qarkullimi i automjeteve edhe në këtë fshat turistik.