Nën kryesimin e Kryetarit Xheladini, Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi mbajti sot Mbledhjen V (e pestë) të rregullt për vitin 2025, ku u diskutuan këto pika të rendit të ditës:
1. Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit nga takimi i katërt;
2. Vlerësimi i përgjithshëm i gjendjes së sigurisë dhe siguria në trafik në territorin e Komunës së Dragashit;
3. Trajtimi dhe mbrojtja e pyjeve nga prerjet ilegale;
4. Monitorimi dhe raportimi mbi nivelin e sigurisë në shkolla dhe zbatimi i Planit për Siguri në Shkolla;
5. Raportimi dhe parandalimi i dhunës në familje; dhe
6. Të ndryshme.
Bazuar në raportimet e komandantit të Stacionit Policor në Dragash, z.Shaqir Uka, dhe komandantit të Vijës Kufitare, z.Sahit Hoti, gjendja e përgjithshme e sigurisë në territorin e Komunës së Dragashit u vlerësua e qetë dhe stabile.
Për nivelin e sigurisë dhe zbatimin e Planit për Siguri në Shkolla raportoi drejtori i DKA-së, z.Zeni Krasniqi, duke theksuar aktivitetet kryesore të drejtorisë me qëllim të ruajtjes së sigurisë në shkolla.
Në pikën eventuale, Kryetari Xheladini njoftoi të pranishmit se, lidhur me shqetësimet për sigurinë e banorëve të fshatit Bellobrad, në bashkëpunim me Shoqatën “Dhia e Egër” është bërë zhvendosja e arinjve jashtë zonës së banuar dhe në mal është siguruar ushqim i mjaftueshëm për ta. Kryetari Xheladini ka falënderuar për bashkëpunimin të gjithë përfaqësuesit e institucioneve relevante të cilët kanë kontribuuar që kjo situatë të tejkalohet pa u rrezikuar siguria e banorëve.