Bashkë me familjarë, përfaqësues të qeverisjes lokale, qytetarë të fshatit Bresanë dhe bashkëveprimtarë, përkujtuam sot veprën dhe sakrificën e atdhetarit të paepur, mësuesit, të burgosurit politik dhe komandantit të Shtabit Komunal të Forcave të Armatosura, Samidin Muhametit – Babait.
Me këtë rast, edhe sheshin te Pazari i Vjetër në fshatin Bresanë e emërtuam sheshi “Samidin Muhameti – Babai”, në nderim të jetës, veprës dhe kontributit të tij si personifikim i angazhimit intelektual, guximit e sakrificës për liri dhe shtetndërtim.@
Kujtimi për të nuk është vetëm një faqe në histori, por një dritë udhërrëfyese për brezat që do të vijnë.
Në vazhdim keni fjalimin tim të plotë për këtë ceremoni.
Biografia për Samidin Muhametin – “Babai”
(20.07.1945 – 25.03.2011)
“Ju më ndihmoni, të punojmë së bashku, kurse për armikun serb nuk trembem aspak!”
Samidin Muhameti, i njohur ndryshe me pseudonimin “Babai”, ishte një ndër figurat më të shquara të Opojës, që përmes dijes, përkushtimit dhe rezistencës së palëkundur ndaj regjimit serb, la gjurmë të pashlyera në historinë e kësaj treve dhe më gjerë.
Lindi më 20 korrik 1945 në fshatin Bresanë, Komuna e Dragashit. Shkollimin fillor e përfundoi në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme pedagogjike – Normalen – e kreu në Prizren, në vitin 1964. Më pas, vazhdoi studimet në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, në drejtimin Gjeografi.
Në vitin 1965, nisi punën si mësues në shkollën fillore të Bresanës, e njohur atëherë si “29 Nëntori” (më pas “28 Nëntori”), ku qëndroi në shërbim të brezave për plot 45 vjet, deri në pensionimin e tij më 2010. Ai njihej për përkushtimin maksimal ndaj punës, korrektësinë dhe dashurinë për nxënësit. Gjatë gjithë karrierës së tij, qëndroi besnik ndaj misionit të edukimit kombëtar në gjuhën shqipe.
Gjatë viteve të errëta të viteve ’90, kur regjimi serb suprimoi sistemin arsimor në gjuhën shqipe, Samidin Muhameti u bë një ndër shtyllat e arsimit paralel në Opojë. Si drejtor i shkollës “28 Nëntori”, ai përballoi presione, kërcënime dhe frikësime nga strukturat serbe, por nuk u tërhoq asnjëherë.
Shkolla u kthye në qendër kombëtare rezistence arsimore dhe kulturore, ku mësimi vazhdonte shpesh në shtëpi private, ndërsa librat dhe materialet shkollore shpërndaheshin fshehtas, ndersa me kuaj, natën transportoheshin nga Prizreni në opojë.
Në natën ndërmjet 4 dhe 5 tetorit 1993, forcat ushtarake dhe policore serbe kryen një sulm të armatosur në fshatin Bresanë, duke shkaktuar panik dhe dëme materiale. Ky sulm u pasua me arrestimin e katër veprimtarëve të shquar të Opojës, të cilët u akuzuan nga gjykatat serbe për vepra të rënda penale që kishin të bënin me shkëputjen e Kosovës nga RFJ dhe nga Republika e Serbisë:
• Halim Shemsidini, u arrestua më 9 tetor, 1993, profesor dhe veprimtar politik, njëherësh sekretar i Degës së LDK-së për Dragash, sipas aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Prizren, kishte pasur detyrë koordinimi për regjionin e Opojës dhe komunën e Dragashit, në përgatitjet për formimin e Shtabit të Forcave të Armatosura në këtë zonë.
• Ymer Ademi, i arrestuar më 11.tetor 1993,mësues dhe veprimtar, kryetar i Aktivit të LDK-së në fshatin Bresanë, i caktuar si anëtar i Shtabit të Forcave të Armatosura, për të vepruar në fshatin Brodosanë.
• Dr. Bexhet Xheladini, i arrestuar më 13 tetor,1993 mjek dhe veprimtar politik, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së për Dragash, i ngarkuar për Organizimin e Njësitit Sanitar në komunën e Dragashit.
• Samidin Muhameti, u arrestua më 9 tetor 1993. si drejtor i shkollës dhe kryetar i Degës së PFK-së në Bresanë, u akuzua për rolin e tij si Komandant i Shtabit të Forcave të Armatosura për zonën e Kosavës, në kuadër të përgatitjeve të hershme për rezistencë të armatosur.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Publike të Qarkut në Prizren (PP. Nr. 101/93, datë 05.11.1993) dhe Aktgjykimit ai u shpallën fajtorë për:
• “Cenim të tërësisë territoriale” RFJ
• “Formimin e formacioneve ushtarake dhe paramilitare” në Dragash,
• “Organizimin e popullatës për vetëmbrojtje në rast të ndonjë konflikti të armatosur”, me qëllim shkëputjen e Kosovës nga Serbia.
Për shkak të gjendjës jo të mirë shëndetësore të Samidinit, në një nga seancat gjyqësore, një gjykatës serb u shpreh:
“Edhe Janez Jansha ishte i dobët me shëndet, por e shkëputi Slloveninë nga Jugosllavia – prandaj edhe këta duhet të dënohen!”
Samidin Muhameti u dënua me 3 vjet burgim dhe vuajti 1 vit e 6 muaj në burgun e Prizrenit, nga ku u lirua në vitin 1995, pa fletë-lirim dhe gjithmonë nën mbikëqyrje e presion të vazhdueshëm nga shërbimet serbe.
Pas lirimit, ai nuk ndaloi kurrë. U kthye sërish në organizimin e arsimit paralel, në edukimin e brezave, dhe në përgatitjen për rezistencë. Shtëpia e tij e thjeshtë ishte gjithmonë e hapur për takime dhe organizime kombëtare. Ishte vullnetar, i përkushtuar dhe nuk kërkoi kurrë as përfitime e as lavdi.
Gjatë viteve 1995–1998, në fshatin Bresanë nisi prodhimi i armëve në mënyrë të fshehtë, si pjesë e përgatitjeve për rezistencën e armatosur. Më shumë se 100 të rinj nga ky fshat iu bashkuan radhëve të UÇK-së gjatë luftës.
Pas përfundimit të luftës, Samidini iu rikthye arsimit, duke e përmbyllur me nder karrierën e tij deri në pension. Në vitin 1999, u dekorua me Mirënjohje për kontributin në përgatitjen e rezistencës aktive në Republikën e Kosovës.
Më 25 mars 2011, ai ndërroi jetë, duke lënë pas një trashëgimi të pasur morale, patriotike dhe edukative. Ai ishte më shumë se një mësues – ishte udhëheqës i heshtur, burrë i mençur, kapiten i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, i kombit dhe rezistencës.
Për nder të 14-vjetorit të vdekjes dhe 32-vjetorit të lirimit nga burgu, në shenjë mirënjohjeje për veprën dhe qëndresën e tij, **ky shesh merr emrin:
“Samidin Muhameti – Babai”.
Kujtimi i tij nuk është vetëm një faqe në histori, por një **dritë udhërrëfyese për brezat që vijnë. Ai i qëndroi kohës përballë, me guxim, me dije dhe me dashuri për
atdheun.