Sot, Kryesuesja e Zyrës së ASB në Kosovë, znj. Dafina Hoxha, së bashku me Zyrtarin e Projektit WIntegra, z. Shpend Dobroshi, realizuan një vizitë zyrtare te Kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini. Takimi u hap me urimet për mandatin e ri të Kryetarit dhe me vlerësimin e bashkëpunimit të deritanishëm institucional.
Gjatë takimit u diskutuan aktivitetet kryesore të projektit që janë zhvilluar përgjatë dy viteve të fundit, si dhe u theksua bashkëpunimi i shkëlqyeshëm ndërmjet ASB-së dhe Komunës së Dragashit në kuadër të implementimit të projektit WIntegra, të financuar nga BE. Stafi i projektit dorëzoi gjithashtu dy përmbledhje legjislative të hartuara në bazë të aktiviteteve të realizuara gjatë procesit të implementimit.
Kryetari Xheladini përgëzoi ekipin për rezultatet e arritura, duke shprehur interesimin që Qendra e Grave në Dragash të vazhdojë të funksionojë edhe pas përfundimit të projektit. Ndërkohë, znj. Arijeta Qafleshi Skeraj, në cilësinë e Asamblesites së Komunës, shprehu përkushtimin e saj personal dhe të asambleistëve të tjerë, si dhe mbështetjen e shoqërisë civile për vazhdimësinë e aktiviteteve ne këtë Qendër.
Në përfundim të takimit, palët u dakorduan që bashkëpunimi ndërmjet ASB-së dhe Komunës së Dragashit do të vazhdojë edhe në të ardhmen për projekte të tjera që synojnë zhvillimin lokal dhe fuqizimin e komunitetit.