Nën udhëheqjen e kryetarit të Komunës, z.Bexhet Xheladini, Qeveria Komunale mbajti mbledhjen e radhës, ku u diskutuan këto pika të rendit të ditës:
1. Raportimi i organeve mbikëqyrëse mbi ecurinë e investimeve kapitale;
2. Raportimi i ZKF-së mbi ecurinë e shpenzimeve buxhetore;
3. Raportimi i personave përgjegjës për çështjen e furnizimit me naftë të institucioneve komunale;
4. Furnizimi me pajisje dimërore për automjetet e institucioneve komunale; dhe
5. Të ndryshme.
Gjatë mbledhjes, të gjithë zyrtarët përgjegjës raportuan për pikat përkatëse të rendit të ditës. Inxhinierët komunalë, mbikëqyrës të projekteve, raportuan mbi progresin e investimeve kapitale, ndërsa ZKF-ja prezantoi një përmbledhje mbi ecurinë e shpenzimeve buxhetore për periudhën raportuese. Po ashtu, u shqyrtua çështja e furnizimit me naftë për institucionet komunale dhe u diskutua situata aktuale e pajisjeve dimërore për automjetet e Komunës.
Në pikën e ndryshme, Kryetari Xheladini foli mbi mënyrën e shfrytëzimit të mjeteve të fituara nga Granti i Performancës, të cilin Komuna jonë e ka siguruar edhe këtë vit dhe pritet që nga niveli qendror të njoftohet për shumën e fituar dhe alokimin e mjeteve.
Sipas parashikimeve, Komuna jonë do të përfitojë afër 1.4 milion euro. Nga investimet e përbashkta, me këto mjete do të planifikohet të blihet një sibirkë për hapjen e rrugëve nga bora, nji cisternë për zjarrfikës, 2 kombibusë për pacientë të dializës dhe një minikamion 4×4 për bartjen e mbeturinave të amvisërisë për fshatrat malore. Gjithashtu, do të planifikohet asfaltimi dhe zgjerimi i rrugës Dragash – Shajne, me parkingje anësore, si dhe rregullimi i Rrugës së Varrezave të Dragashit.
Nga pjesa e mjeteve të mbetura, 60% do të investohen në pjesën e Opojës dhe 40% në pjesën e Gorës.
Kryetari Xheladini theksoi rëndësinë e planifikimit të kujdesshëm dhe përdorimit efikas të këtyre mjeteve, në funksion të përmirësimit të shërbimeve dhe projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.