Në sallën e Asamblesë Komunale sot u mbajt Takimi i Parë Publik me Qytetarë, ku kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, raportoi për ecurinë e punës së ekzekutivit lokal në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025.
Gjatë raportimit, Kryetari Xheladini u fokusua në aktivitetet kryesore gjatë periudhës gjashtëmujore të vitit, duke përmendur aktivitetet kryesore, nënshkrimin e memorandumeve të bashkëpunimit me organizata dhe institucione të ndryshme, si dhe takimet e shumta me përfaqësues të lartë diplomatikë të nivelit qendror dhe ndërkombëtarë.
Gjithashtu, në këtë takim u raportua në pika tê përgjithshme edhe për mbarëvajtjen e projekteve kapitale që janë në realizim e sipër dhe ato të cilat pritet të realizohen në bazë të Planit Vjetor të Prokurimit. Kryetari Xheladini prezantoi para të pranishmëve edhe pasqyrën e subvencionimit të OJQ-ve përmes thirrjeve publike në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në pjesën e dytë të Takimit Publik u diskutua edhe për Draftin e Kornizës Afatmesme Buxhetore (KAB) 2026-2028, ku qytetarët e pranishëm patën rastin që të paraqesin kërkesat e tyre.