Në kuadër të Agjendës së 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në Komunën e Dragashit u organizuan një sërë aktivitetesh, nën patronatin e kryetarit të Komunës, z.Bexhet Xheladini.
Fillimisht, nën udhëheqjen e kryesueses së Kuvendit, znj.Arijeta Skeraj, në sallën e Kuvendit Komunal u mbajt Seancë Solemne, ku ishin të pranishëm përfaqësues të ekzekutivit dhe legjislativit lokal, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të veteranëve dhe invalidëve të luftës, përfaqësues të institucioneve të sigurisë, institucioneve fetare, arsimore, partive politike, media dhe qytetarë.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, Kryesuesja Skeraj uroi të gjithë qytetarët me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke thënë se do të jemi gjithmonë mirënjohës dhe do të përulemi me nderim të thellë para veprave dhe sakrificës së pashembullt të atyre që dhanë gjithçka nga vetja për një Kosovë të lirë e të pavarur.
Në emrin e tij dhe të qytetarëve të Komunës së Dragashit, Kryetari Xheladini shprehu urimin e tij për këtë përvjetor të Pavarësisë. Ai theksoi se ky është një moment i veçantë që na bashkon të gjithëve, ku kujtojmë dhe nderojmë të gjithë ata që kontribuuan dhe sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.
Me nga një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtuan edhe nënkryetari për Komunitete, z.Fejsal Halilović, përfaqësuesi nga OVL e UÇK-së, z.Salih Shala, dhe përfaqësuesi i familjeve të dëshmorëve, z.Ymridin Gërdellaj.
Pas Seancës Solemne, në mënyrë të organizuar u bënë homazhe te shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari, Varrezat e Dëshmorëve në Dragash e Buqe, dhe Pllaka përkujtimore e dëshmorit turk, Husein Kutlu.
Aktivitetet u përmbyllën me Programin artistik i cili u mbajt në Shtëpinë e Kulturës në Dragash.