Ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, vizitoi sot Komunën e Dragashit. Ai u prit nga kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, së bashku me kryesuesen e Kuvendit, znj.Arijeta Skeraj, zëvendëskryesuesin e Kuvendit, z.Munir Jonuzi, shefin e Zyrës për Komunitete, z.Uzair Hamza, dhe pjesëtarë të tjerë të Kabinetit.
Kryetari Xheladini fillimisht i uroi mirëseardhje ambasadorit britanik, duke e falënderuar për vizitën e tij në Komunën e Dragashit. Ai më pas e njoftoi me një historik të shkurtër të organizimit politik dhe administrativ të Komunës, duke theksuar se Komuna e Dragashit është shembull në Kosovë për kulturën e tolerancës dhe bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve.
Ambasadorin britanik e falënderuan për vizitën edhe të pranishmit e tjerë në këtë takim. Në anën tjetër, Ambasadori Hargreaves shprehu falënderimin e tij për mikpritjen e ngrohtë nga përfaqësuesit e Komunës së Dragashit, duke shtuar se përfaqësuesit e Britanisë së Madhe në Kosovë do të jenë gjithmonë përkrah qytetarëve tanë.
Pas takimit në Zyrën e Kryetarit Xheladini, ambasadori britanik dhe Kryetari Xheladini dhanë nga një prononcim për TV Prizrenin dhe Radio Sharrin. Më pas, së bashku me përfaqësuesit komunalë vizituan edhe QKMF-në, ku panë nga afër punën e stafit dhe punëtorëve shëndetësorë.