Sot patëm kënaqësinë që në Komunën e Dragashit të presim në takim drejtoreshën e Korpusit të Paqes në Kosovë, znj. Joanne Fairley, së bashku me udhëheqëset e projekteve, znj. Merita Fehmiu dhe znj. Edita Alo.
Gjatë takimit diskutuam për misionin dhe programet e Korpusit të Paqes në Kosovë, si dhe për mundësitë konkrete të bashkëpunimit me Komunën e Dragashit, veçanërisht në fushën e arsimit, kulturës dhe zhvillimit të shoqërisë.
Si Komunë, shprehëm gatishmërinë tonë të plotë për të bashkëpunuar dhe për të krijuar mundësi të reja që kontribuojnë drejtpërdrejt në fuqizimin dhe zhvillimin e qytetarëve tanë.
Një interes i veçantë për ne është që vullnetarët e Korpusit të Paqes të jenë pjesë aktive e jetës sonë lokale, duke sjellë përvojën, njohuritë dhe energjinë e tyre në shërbim të të rinjve, arsimit dhe jetës shoqërore.
Pas falënderimit për vizitën dhe gatishmërinë për bashkëpunim me Komunën e Dragashit, i njoftova të pranishmit, në pika të shkurtra, me karakteristikat dhe veçoritë kryesore të komunës sonë. Në mënyrë të përmbledhur, prezantova aspekte të rëndësishme të komunës sonë duke filluar nga pozita gjeografike dhe pasuritë natyrore, trashëgimia kulturore dhe diversiteti shoqëror, deri te aspektet e qeverisjes lokale, zhvillimit dhe qështjet financiare.
Besoj se ky bashkëpunim do të jetë një mundësi e mirë për të realizuar nisma konkrete dhe të qëndrueshme në të mirë të qytetarëve të Komunës së Dragashit.
Falënderoj përfaqësueset e Korpusit të Paqes për vizitën, bashkëpunimin dhe gatishmërinë për të qenë partnerë të Komunës së Dragashit në nisma të rëndësishme për të ardhmen tonë.
BEXHET XHELADINI
Kryetar i Komunës së Dragashit