Të nderuar qytetarë,
Komuna e Dragashit shpreh mirëkuptimin e plotë ndaj shqetësimit të banorëve të qytetit të Dragashit lidhur me vështirësitë dhe ndërprerjet e furnizimit me ujë gjatë ditëve të fundit.
Sot, kryetari i Komunës, z. Bexhet Xheladini, së bashku me stafin e Kabinetit, doli para objektit të Komunës për të dëgjuar nga afër kërkesat dhe shqetësimet e qytetarëve, duke përcjellë gatishmërinë e Komunës për të kontribuuar në zgjidhjen e kësaj situate.
Furnizimi i rregullt me ujë është një nevojë themelore e qytetarëve dhe kërkon angazhim, bashkëpunim dhe koordinim të të gjitha institucioneve përgjegjëse.
Ju rikujtojmë se përgjegjëse për menaxhimin dhe furnizmin me ujë për qytezën e Dragashit është KRU Hidroregjioni, përkatësisht Njësia Operative në Dragash. Kjo përgjegjësi përfshin menaxhimin e sistemit të furnizimit, mirëmbajtjen e rrjetit dhe ndërmarrjen e masave të nevojshme për sigurimin e furnizimit të rregullt dhe të qëndrueshëm me ujë për qytetarët e qytezës së Dragashit dhe fshatit Pllavë.
Për këtë arsye, bëjmë thirrje për dialog dhe bashkëpunim konstruktiv, me qëllim që së bashku të gjendet një zgjidhje e shpejtë dhe e qëndrueshme për këtë problem.
Komuna e Dragashit mbetet e përkushtuar dhe e gatshme të angazhohet, brenda kompetencave të saj, në çdo përpjekje që çon drejt normalizimit të furnizimit me ujë dhe në interes të qytetarëve.
Komuna e Dragashit falënderon policinë e Kosovës për angazhimin dhe profesionalizmin e treguar në menaxhimin e kësaj proteste, duke dëshmuar rëndësinë e bashkëpunimit, komunikimit dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve.