Të nderuar qytetarë të Gorës,
Siç jeni në dijeni, Komuna e Dragashit gjatë katër viteve të fundit ka organizuar aktivitete me rastin e ardhjes suaj për pushime në vendlindje, të cilat i kemi quajtur “Ditët e Mërgatës”.
Edhe këtë vit, ashtu si në vitet e mëparshme, kishim planifikuar mjete financiare për realizimin e këtyre aktiviteteve kulturore, të cilat ishin paraparë që të zbatoheshin nga organizatat joqeveritare.
Megjithatë, duke pasur parasysh ngjarjen tragjike që ndodhi muajin e kaluar në fshatin Zlipotok, si dhe rastet e tjera tragjike në fshatin Restelicë, pikërisht në vendet ku ishte planifikuar të zhvillohej një pjesë e këtyre aktiviteteve, kemi vendosur që, në shenjë solidariteti me familjen e imamit të ndjerë, me familjet e viktimave në Restelicë dhe me të gjithë qytetarët e prekur nga këto ngjarje tragjike, vetëm për këtë vit të mos financojmë organizimin e manifestimeve “Ditët e Mërgatës”, si dhe të mos marrim pjesë në aktivitetet që organizohen me këtë rast.
Në fillim të këtij procesi kishim vendosur që qëndrimin tonë të mos e bënim publik. Mirëpo, duke pasur parasysh se ditët e fundit disa individë kanë përhapur pretendime të pavërteta se Komuna po ushtron diskriminim, e pamë të nevojshme ta bëjmë publike këtë vendim, në mënyrë që qytetarët të informohen drejt për arsyet e marrjes së tij.
Ky vendim nuk është marrë nga inati dhe as nuk përfaqëson mungesë mbështetjeje për organizatat joqeveritare të Gorës. Përkundrazi, ai është shprehje e solidaritetit dhe respektit ndaj familjeve të prekura nga tragjeditë dhe banorëve të këtyre fshatrave në këto momente të vështira.
Njëkohësisht ju njoftojmë se mjetet financiare të parapara për këto manifestime nuk do të mbeten të pashfrytëzuara, por do t’i dedikohen komunitetit joshumicë për realizimin e investimeve të tjera me interes publik.
Me respekt,
Zyra për Informim