Sot mora pjesë në ceremoninë solemne të inaugurimit të lapidarit kushtuar dëshmorëve Fisnik Ibrahimi dhe Fetah Sylejmani nga fshati Shajne.
Në këtë ceremoni isha së bashku me nënkryetarin e Komunës, z. Vetim Ramadani, dhe shefen e kabinetit, znj. Arijeta Skeraj. Të pranishëm ishin edhe ministri për Familje, Çështje Sociale dhe Vlerat e Luftës, z. Andin Hoti, kryetari i OVL-së së UÇK-së, z. Emri Neshati, si dhe komandantët e shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: gjeneral Rrustem Berisha, gjeneral Fadil Hadërxhonaj, komandant Anton Quni dhe Filiz Mustafa.
Në fjalën e tij, gjeneral Rrustem Berisha vlerësoi jetën, veprën dhe sakrificën heroike të dëshmorëve Fisnik Ibrahimi dhe Fetah Sylejmani, duke kujtuar kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në luftën për lirinë e Kosovës.
Ky lapidar është një simbol i përhershëm i respektit dhe mirënjohjes për dëshmorët tanë, si dhe një dëshmi se liria që gëzojmë sot është ndërtuar mbi guximin, sakrificën dhe dashurinë për atdheun. Ai do të mbetet një kujtesë e përhershme për brezat e rinj që të mos e harrojnë kurrë çmimin e lirisë dhe përgjegjësinë që kemi për ta ruajtur dhe forcuar shtetin tonë.
Shpreh mirënjohjen time për Këshillin Organizativ, imamin e fshatit, Indir Shabani, Shefket Sylejmanin, Ilijaz Kadollin dhe Florian Hysenin, si dhe për të gjithë ata që kontribuuan në ngritjen e këtij lapidari dhe organizimin dinjitoz të kësaj ceremonie.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve Fisnik Ibrahimi dhe Fetah Sylejmani!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit!
BEXHET XHELADINI
Kryetar i Komunës së Dragashit