Sot, së bashku me Nënkryetarin Vetim Ramadani dhe drejtorët komunalë, Behar Brenoli dhe Veton Halili, vizituam QKMF-në në Dragash me rastin e hapjes së Dhomës së Këshillimores për Pacientët me Sëmundje Kronike.
Gjatë vizitës u njoftuam nga drejtori i QKMF-së për funksionimin e kësaj këshillimoreje, e cila do të ofrojë shërbime çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në 13:00, ku do të angazhohen dhjetë punëtorë shëndetësorë të trajnuar, ndërsa pacientët do të referohen nga mjekët për të marrë këshillim profesional. Për informimin e qytetarëve janë siguruar edhe materiale të shtypura dhe audiovizuele.
Theksova rëndësinë e ofrimit të shërbimeve dhe materialeve informuese në të dy gjuhët zyrtare, në mënyrë që secili qytetar të ketë qasje të barabartë në informacion dhe shërbime.
Besoj se kjo këshillimore do të ketë një ndikim pozitiv në përmirësimin e shëndetit të qytetarëve dhe i përgëzoj drejtuesit dhe stafin për angazhimin e tyre. Gjithashtu, i siguroj se do ta kenë mbështetjen e plotë të Komunës.
Prioriteti ynë mbetet shëndeti i qytetarëve. Në QKMF-në e Dragashit, përveç shërbimeve të kujdesit primar, vazhdojnë të ofrohen pa pagesë edhe shërbimet e kujdesit sekondar shëndetësor nga kardiologu, oftamologu, neuropsikiatri dhe gjinekologu, ku bëhet edhe analiza e Papa Testit.
Gjithashtu, kemi investuar vazhdimisht në pajisje moderne, infrastrukturë shëndetësore, si dhe në burime njerëzore, duke pasur gjithmonë parasysh edhe aspektin etnik dhe gjinor.
Njëherit, duam t’i njoftojmë të gjithë qytetarët se është bërë edhe furnizimi i Laborarorit me reagensa dhe nga dita e sotme mund të marrin shërbime për të gjitha llojet e analizave laboratorike.
Urime stafit të QKMF-së për këtë hap të rëndësishëm dhe suksese në misionin e tyre në shërbim të qytetarëve!
BEXHET XHELADINI
Kryetar i Komunës së Dragashit