Në sallën e Asamblesë Komunale sot u mbajt Takimi i Parë Publik me Qytetarë, ku kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, raportoi për ecurinë e punës së ekzekutivit lokal në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026.
Gjatë raportimit, Kryetari Xheladini u fokusua në aktivitetet kryesore gjatë periudhës gjashtëmujore të vitit, duke përmendur nismat e ndryshme institucionale, nënshkrimin e memorandumeve të bashkëpunimit me organizata dhe institucione të ndryshme, si dhe takimet e shumta me përfaqësues të lartë diplomatikë të nivelit qendror dhe ndërkombëtarë.
Gjithashtu, në këtë takim u raportua në pika të përgjithshme edhe për mbarëvajtjen e projekteve kapitale që janë në realizim e sipër dhe ato të cilat pritet të realizohen në bazë të Planit Vjetor të Prokurimit.
Kryetari Xheladini prezantoi para të pranishmëve edhe pasqyrën e subvencionimit të OJQ-ve përmes thirrjeve publike në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Më tutje, Kryetari Xheladini raportoi edhe për nivelin e përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje përmes konsultimeve publike, ofrimin qasjes në dokumente zyrtare, si dhe për përgjegjësitë, funksionin dhe aktivitetet e sektorit ligjor të Komunës.
Pas prezantimit të Raportit, qytetarët patën rastin që të parashtrojnë komentet, sugjerimet dhe kërkesat e tyre.
Kryetari Xheladini falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në këtë takim.