Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit të Komunës së Dragashit, këtë vit u rikthye pas shumë vitesh një nga traditat më të dashura të Opojës, garat e pehlivanëve, të organizuara së bashku me garat tradicionale të kuajve.
Në këtë manifestim të veçantë mori pjesë kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, së bashku me kryesuesin e Kuvendit dhe pjesëtarë të Kabinetit. Kjo ngjarje mblodhi në Mejdan të Opojës qindra qytetarë, sportdashës dhe mysafirë, duke sjellë emocione, garë të ndershme dhe atmosferë festive.
Garat e vrapimit të kuajve dhe duelet e pehlivanëve janë pjesë e identitetit dhe traditës sonë shumëvjeçare, të cilat meritojnë të ruhen dhe t’u përcillen brezave të rinj. Rikthimi i tyre është dëshmi e përkushtimit të Komunës së Dragashit për të mbështetur aktivitetet që forcojnë lidhjen me historinë, kulturën dhe traditat e vendit tonë.
Kryetari Xheladini falënderoi të gjithë organizatorët, garuesit dhe të gjithë pjesëmarrësit që kontribuuan në suksesin e këtij manifestimi të mrekullueshëm!