Dita e Çlirimit të Komunës së Dragashit u shënua me një sërë aktivitetesh përkujtimore dhe solemne në nderim të dëshmorëve, veteranëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e vendit tonë.
Aktivitetet filluan me Seancën Solemne të Kuvendit të Komunës, ku u kujtua me respekt sakrifica e brezave të tërë për liri, duke nderuar veçanërisht dëshmorët e Komunës sonë, të cilët mbeten themeli i lirisë dhe krenarisë sonë.
Më pas, krerët e institucioneve lokale, së bashku me familjet e dëshmorëve, veteranët e luftës, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë, bënë homazhe te shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe pranë varrezave të dëshmorëve, duke përkujtuar me nderim ata që dhanë jetën për liri.
Shënimi i kësaj dite të rëndësishme u përmbyll me një program artistik, i cili solli emocione, krenari dhe respekt për historinë tonë, duke bashkuar qytetarët në frymën e kujtesës dhe mirënjohjes.
Në këtë ditë të shënuar, përulemi me respekt para veprës së dëshmorëve dhe shprehim mirënjohjen tonë të përhershme për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!
Lavdi dëshmorëve të Komunës së Dragashit!
Urime 12 Qershori – Dita e Çlirimit të Komunës së Dragashit!